Saturday, July 17, 2010

Gallapi, një thesar i pazbuluar i trashëgimisë kulturore


Publikuar: E enjte, më 29 prill 2010 Koha Ditore
http://www.koha.net/index.php?cid=1,9,19762

Prishtinë, 29 prill – Punimet në të cilat 35 autorë kanë trajtuar nga aspekte të ndryshme këtë trevë të Kosovës, janë bërë bashkë në përmbledhjen "Gallapi gjatë rrjedhave të historisë". Libri u promovua mesditën e së mërkurës në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës, ndërkaq për t’i bërë bashkë këto punime është përkujdesur asociacioni për zhvillimin e Gallapit "Galibri". Kumtesat kanë qenë pjesë e simpoziumit me të njëjtin titull, të mbajtur vitin kaluar. "Shpresojmë që ky libër dhe botimet e tjera që do të pasojnë, Gallapin do ta fusin në rrjedhat e trajtimit të gjithëmbarshëm e me kompetencë në zhvillimet integruese shkencore, kulturore, arsimore e ekonomike të Kosovës", ka thënë Islam Velija, kryetar i asociacionit "Galibri". Studiuesi Izber Hoti, i cili në këtë botim prezantohet me referatin "Gallapi më 1877 – 1981 sipas një kronike të kohës", ka bërë thirrje që kësaj treve t’i kushtohet më shumë rëndësi. Njëri nga redaktorët e këtij botimi, njëherësh drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës e ka quajtur këtë botim vetëm një nismë në të cilën mund të bashkohen edhe më shumë mendje për më shumë punë e rezultate shkencore. Vlerësim të ngjashëm për librin ka dhënë edhe redaktori tjetër i "Gallapi gjatë rrjedhave të kohës", Ymer Rusinovci. Ndërkaq Munish Hyseni, po ashtu redaktor i këtij libri, ka thënë se kumtesat e studiuesve të fushave të ndryshme për herë të parë, në mënyrë të organizuar, bëhen përpjekje që nëpërmjet fakteve, analizave dhe gjykimeve të trajtohen me kompetencë shumë tema e aspekte nga degë të ndryshme të dijes, si nga historia, gjeografia, etimologjia, arkeologjia, gjuhësia, etnologjia e letërsia.

No comments:

Post a Comment