Saturday, July 17, 2010

Është promovuar libri “Gallapi gjatë rrjedhave të historisë”

Prishtinë, 28.04.2010 17:26 http://www.knninfo.com/?page=1,9,3257

Me vargjet e poezisë "Kosova e vogël, Gallapi i madh" të autorit Nehat Hoxha të recituara nga aktori Shpëtim Kastrati në ambientet e Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare të Kosovës është promovuar sot libri "Gallapi gjatë rrjedhave të historisë" i botuar nga Asociacioni për Zhvillimin e Gallapit "Galabri".Kryetari i asociacionit "Galabri", Islam Velija, me këtë rast tha se," libri është konceptuar si një qasje shumë disiplinare, ku trajtohen probleme për një hapësirë të përcaktuar por me një shtrirje kohore nga antikiteti e deri në kohët moderne përkatësisht në ditët tona. Gama e trajtesave është mjaft e gjerë dhe përfshin disiplina nga historia, gjuhësia, arkeologjia, letërsia popullore, muzikologjia, etnologjia, gjeologjia,bujqësia etj".Drejtori i Institutit Albanologjik të Kosovës Hysen Matoshi tha se, "me këtë libër nuk është synuar që të jepen përgjigje në të gjitha çështjet që i përkasin të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes së kësaj krahine. Llojllojshmëria e temave të rrahura nga shkencëtarët tanë nuk është e tillë që të mund ta shterojë llojshmërinë e dimensioneve të jetës dhe të çështjeve preokupuese të Gallapit e të gallapianëve".Ndërsa një nga redaktorët e këtij libri Munish Hyseni tha se, "për herë të parë në mënyrë të organizuar bëhen përpjekje që nëpërmjet fakteve, analizave, gjykimeve pse jo edhe mesazheve për këtë regjion të Kosovës, mjaft kompleks, të trajtohen me kompetencë shumë tema e aspekte nga degë të ndryshme të dijes si nga historia, gjeografia, etimologjia, letërsia etj".Pjesa më e madhe e kontributeve shkencore të këtij botim, janë kumtesa të lexuara në simpoziumin shkencor Gallapi gjatë rrjedhave të historisë, të mbajtur më 13 dhjetor 2008 në Institutin Albanologjik dhe tryeza shkencore me temë "Zhvillimi rural, sektor i rëndësishëm i ekonomisë së Gallapit të mbajtur më 19 mars 2009.Librin "Gallapi gjatë rrjedhave të historisë", pos revistës "Gallapi" do ta shoqërojnë edhe këto botime: "Dhuna njëqind-vjeçare serbe në trevën e Gallapit", "Toponimia e Gallapit", "Leksioni i krijuesve, doktorëve dhe magjistrave të Gallapit", "Strategjia Zhvillimore e Gallapit". /S. Krasniqi

No comments:

Post a Comment