Wednesday, December 16, 2009

Asociacioni për zhvillimin e Gallapit"Galabri"

Tryeza shkencore
Bujqësia si sektor i rëndësishëm i ekonomisë në Gallap
Më ___ Mars 2009 në Hotelin Victory duke filluar nga ora 9:00
I Kumtesat
Dr.Isa Mustafa: Fjala hyrëse
Prof. Dr. Imer Rusinovci: Potencialet për zhvillimin e bujqësisë në Gallap
Skender Kaçiu:
Prof. Dr. Hajrip Mehmeti: Blegtoria, veprimtari kryesore në trevën e Gallapit
Prof. Dr. Sylë Sylanaj: Pemtaria në Gallap
Dr. Driton Tali: Mundësitë e zhvillimit të agro-biznesit në Gallap
Dr. Sejdi Osmani, Albana Gashi (RIINVEST): Përvojat e zhvillimit rajonal dhe lokal në Kosovë sipas projektit DELTA
Bajram Limani: Përbërja gjeologjike e tokës në trevën e Gallapit
Halil Bajrami: Turizmi rural dhe dimror në trevën e Gallapit
Ismet Demolli: Rrjeti i rrugëve që janë dhe që duhet të ndërtohen në trevën e Gallapit.
Dr. Muhamed Mustafa: Fjala përbyllëse.

II Memorandumi i Mirëkuptimit
Ditën që mbahet Tryeza do të nënshkruhet Memorandumi i Mirëkuptimit për zhvillimin e trevës së Gallapit. Memorandumi do të nënshkruhet nga përfaqësuesit e pesë komunave nga të cilat administrohet Gallapi: Prishtina, Kamenica, Podujeva, Artana dhe Gjilani si dhe nga përfaqësuesit e tri ministrive: Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Memorandumi do të nënshkruhet gjithashtu edhe nga përfaqësuesit e RIINVEST-it dhe Shoqatës Galabri.
Synimi i Memorandumit është të rrisë bashkëpunimin më qëllim të zhvillimit të Gallapit. Galabri në bashkëpunim me RIINVEST-in synojnë pas mbajtjes së Tryezës të hartojnë Strategjinë për Zhvillimin e Gallapit.


Këshilli organizativ: Dr. Imer Rusinovci, Nuredin Ibishi, Ramadan Avdiu, Dr. Muhamet Mustafa, Ahmet Isufi, Refik Shabani, Selim Pacolli, Munish Hyseni, Fehmi Cakolli dhe Islam Veliu
Për informata na kontaktoni në 044 129 650, 044 500 459 dhe 044 160 943

Tryeza është mundësuar nga ndihma bujare e ndërmarrjes Buçaj
Tryeza shkencore
Bujqësia si sektor i rëndësishëm i ekonomisë në Gallap


Seanca e paradites

9:00-10:30
Fjala përshëndetëse e Presidentit të
shoqatës "Galabri", Islam Veliu
Dr.Isa Mustafa: Fjala hyrëse
1. Prof. Dr. Imer Rusinovci: Potencialet për zhvillimin e bujqësisë në Gallap
2. Skender Kaçiu:
Prof. Dr. Hajrip Mehmeti: Blegtoria, veprimtari kryesore në trevën e Gallapit
Prof. Dr. Sylë Sylanaj: Pemtaria në Gallap
10:30-10:45 Pauzë kafeje
12:00-13:00
Diskutimi dhe Nënshkrimi i Memorandumit të mirëkuptimit
13:00-14:00
Dreka në Hotel Victory
14:00-16:00
Debati lidhur me kumtesat
Data e saktë e mbajtjes caktohet deri më 10 mars, njëherit kërkojmë nga ju i nderuar që të jepni vërejtje, sygjerime, propozime apo miratim të kësaj skeme programore të tryezës, e presim me knaqësi bashkëpunimin me ju.
Më 04.03.2009, Prishtinë
Dr. Driton Tali: Mundësitë e zhvillimit të agro-biznesit në Gallap
Dr. Sejdi Osmani, Albana Gashi (RIINVEST): Përvojat e zhvillimit rajonal dhe lokal në Kosovë sipas projektit DELTA
Bajram Limani: Përbërja gjeologjike e tokës në trevën e Gallapit
Halil Bajrami: Turizmi rural dhe dimror në trevën e Gallapit
Ismet Demolli: Rrjeti i rrugëve që janë dhe që duhet të ndërtohen në trevën e Gallapit.
Dr. Muhamed Mustafa: Fjala përbyllëse.

Gallapi të inkorporohet në Strategjinë Zhvillimore të Kosovës

Letërkujtesë institucioneve tona: Presidencës së Kosovës, Kuvendit të Kosovës, Kryeministrisë, Ministrisë së Telekomunikacionit dhe kryetarëve të komunave Prishtinë, Dardanë, Besianë, Artanë dhe Gjilan
Më 24 qershor bëhen tri vite qëkur është themeluar shoqata “Galabri”, organ i së cilës është kjo revistë.
Si shoqatë po bëjmë përpjekje ta kryejmë një pjesë të misionit tone qytetar për sensibilizimin e institucioneve të vendit tonë për këtë zone të harruar të atdheut. Por njëkohësisht, duam që t`i trandim nga letargjia e thellë një pjesë e biznesit dhe të inteligjencies me origjinë nga ky cep i Kosovës, gjithsesi shumë të suksesshëm në fushat e tyre, por që me kohë e kanë harruar Gallapin. Zona e Gallapit ka më se 43 katunde, që shtrihen në brezin kufitar me Serbinë dhe njihet si njëra prej zonave ku janë zhvilluar disa beteja në mbrojtje të atdheut (Beteja e Sfircës e vitit 1911, e udhëhequr nga Idriz Seferi; Beteja e Kikës e vitit 1944, e udhëhequr nga Mulla Idrizi; Beteja e Ushit, malësi e Bujanocit (1944), ku qenë bllokuar bandat e ashtuquajtura partizane serbe; ajo e Dabishecit (1944) etj. Në shenjë hakmarrjeje për këtë shpirt kryengritës, pushteti jugosllav për më se 50 vjet radhazi, këtë zonë e pati shndërruar në zonë të “ndjekjes së shtrigave”. Burgjet jugosllave përherë ishin të mbushura me djemtë më të mirë të zones (Metush Krasniqi, Tefik Shehu, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Kadri Zeka dhe shumë dëshmorë të UÇKsë që tani i kanë përmendoret në trevën e Gallapit). Natyrisht nga ai pushtet nuk pritej që të vinte dorë të mbarë dhe ta shkëpuste Gallapin nga mesjeta e stërzgjatur. Të rikujtojmë se nga kjo krahinë, meqë nuk ka politika afatgjata inkurajuese për biznes, meqë infrastruktura është e dobët, tashmë janë shpërngulur më se 90 për qind e popullsisë. Në vitet 70 të shekullit të kaluar, prodhonte më se 60 mijë qengja për eksport, sot mezi ofrohen 1000. Sado që kjo trevë ende nuk e ka marrë trajtimin e duhur parësor si rajon i harruar në të kaluarën, shprehim kënaqësi të veçantë që MTPT-ja, në bashkëfinancim me komunat e Prishtinës dhe të Dardanës kanë ndërtuar rrugën e re Hajkobillë-Tygjec të gjatë rreth 12 km, e cila sivjet finalizohet nga MTPT-ja si dhe rrugën tjetër Jallaçë- Tygjec e gjatë rreth 10 km, e cila sivjet gjithashtu finalizohet. Me ndërtimin e këtyre 22km rrugë mund të themi se MTPT-ja e ka hapur çështjen e trevës së Gallapit. Shoqata apelon që kjo trevë të inkorporohet në Strategjinë Zhvillimore të Kosovës me prioritet, meqë ka qenë zonë e injoruar në të kaluarën dhe tani është zonë strategjike kufitare. Gallapi sot është një zone me potencial zhvillimor të prodhimtarisë ekologjike, gjë që institucionet tona duhet ta kenë domosdoshmërisht parasysh.
Rëndësia e zhvillimit të kësaj treve është e shumëfishtë: 1. Gallapi ka një rëndësi të veçantë strategjike meqë rreth 20 fshatra të zonës shtrihen në vijën kufitare.
2. Gallapi është një zonë me potencial të madh të zhvillimit ekonomik. Treva është një malësi e butë, e dëshmuar në fushën blegtorale-bujqësore.
3. Ndërtimi i infrastrukturës rrugore në këtë trevë përmirëson pozitën e fshatrave shqiptare që shtrihen në anën tjetër të kufirit që nga Sfirca e Brendshme e deri te Tupalla.
4. Treva është afër kryeqendrës së Kosovës, pjesa dërrmuese e saj dhe edhe është zonë me potencial për banim të shëndetshëm në një mesatare të lartësisë mbidetare 850m.
5. Zhvillimi i zonës do ta ndihmojë edhe Komunën e Dardanës (tani Dardana po konsiderohet si një zorrë qorre dhe atë për shkak të shkatërrimit të potencialit ekonomik që ofronin përpara fshatrat e Gallapit).
6. Ndërtimi i infrastrukturës rrugore na Gallap është i lehtë meqë ka një terren të përshtatshëm. Pra, me një shumë modeste kjo trevë lehtë do të mund të bëhej e qarkullueshme në tërë sipërfaqen e saj.
7. Ndërtimi i infrastrukturës rrugore është i domosdoshëm edhe për arsye të drejtave qytetare dhe humanitare të atyre pak banorëve që kanë mbetur atje e që jetojnë të shkëputur nga bota. Shoqata angazhohet me theks të veçantë për fshatrat e braktisura të cilat kanë qenë të lëna pas dore nga të gjitha pushtetet. Ato fshatra shtrihen në territorin e pesë komunave: Prishtinës, Gjilanit, Artanës, Dardanës dhe Besianës. Që kjo trevë të nxirret nga izolimi duhet koordinim i punëve ndërmjet këtyre komunave, MTPT-së dhe komunitetit me një platformë të qartë. Një projekt për ndërtimin e tetë rrugëve për 3 vjet përfundimisht do të nxirrte këtë zonë nga izolimi infrastrukturor në të cilin gjendet tani.

Këto rrugë janë:
1. Prapashticë-Gllogovicë-
Krilevë-Strezoc
2. Rruga e Desivojcës
3. Rruga e Poliçkës
4. Rruga Tygjec-Kapi
5. Hapja e trasesë së rrugës Kapi-
Tërstenë e gjatë 40km e gjitha rreth
kufirit
6. Rruga Bullaj-Krilevë
7. Rruga Artanë-Krilevë
8. Rruga Koliç-Dyz
Sipas parallogarive të ekspertëve, ndërtimi i këtyre rrugëve do të kushtonte rreth 10 milion eurosh. Mbështetur në trendet e rrjedhave buxhetore të Kosovës në tri vitet e ardhshme MTPT do t’i ketë së paku 100 milionë euro buxhet.
Duke qenë se treva e gallapit është 1/10 e Kosovës, i bie se 1/10 e këtij buxheti I takon kësaj treve. Hiq pa i dhan tretman prioriteti treves vetëm me një ndarje të drejtë propocionale të buxhetit, rrugët e permendura do të mundë të ndërtoheshin brenda 3 viteve të ardhshme. Kjo shumë nuk do ta rëndonte shumë buxhetin e Kosovës, ndërsa asaj do t’ia kthente një potencial të madh ekonomik dhe përfundimisht Gallapit do t’i hiqeshin epitetet si “Trevë në komë” dhe “Toplicë e dytë”. Me pak mirëkuptim dhe me më shumë angazhim i koordinuar si duhet Gallapi mund të kthehet në një trevë të shpresës e të përparimit.

z.Islam Veliu
Kryetar i Asociacionit për Zhvillimin e Gallapit “Galabri”

Ritet e Motmoti në Gallap të Dardanës

Nga Ukshin Zajmi:

Gallapi denbabaden kremtoi Shën Gjergjin dhe Shën Mitrin

Gallapi është një krahinë shqiptare që shtrihet në brezin e sotëm kufitar të Kosovës me Serbinë dhe përfshinë komunën e Prishtinës dhe të Dardanës (ish Kamenicës). Shtrihet që nga Liqeni i Batllavës e deri në masivinë e Vrajës e të Bujanocit. I takon pjesës veriore dhe lindore të Kosovës. Kjo pjesë e Kosovës kryesisht ësht masiv malor, e pasur me drunj ahu Çarri dhe bungu. Lartësia mbidetare e kësaj pjese të Kosovës është mbi 1000 metra, andaj edhe klima është kontinentale me dimra të fortë dhe të gjatë.
Pavarësisht nga koha e popullzimit të këtij masivi, supozohet se banohet mjaft gjatë dhe aty-këtu dëgjohet se banorët e kësaj ane i takojnë fisit Galabroi të Dardanëve. Për lashtësinë e banorëve të kësaj ane, sikur të hulumtohen, mund të mësohet shumë nga gjurmët e shumta arkeologjike, nëpër tërë këtë territor. Ka gjurmë të gjyteteve ( Gjyrishec), të kishave, të varrezave të vjetra, të kalave e të emërvendeve.
Për lashtësinë e banimit në këtë anë, dëshmojnë edhe disa festa, të cilat janë kremtuar denbabaden, e sidomos ajo e Shën Gjegjit që në këtë anë quhet Sh’njergj dhe Shën Mitrit që popullit e shqipton Sh’mitër.. Këto festa në malësinë e Gallapit lidheshin njëra më tjetrën dhe kremtimi i tyre fillonte me 5 maj dhe vazhdonte deri më 8 maj.
Qendër e manifestimit ishte fshati Tygjec i Dardanës me rrethinë, fshat ky që gjendet dikund në mes të fshatrave të Gallapit.
Banorët e moshuar të Tygjecit, nuk e mbajnë mend prej kur ka filluar kremtimi i këtyre festive, por thonë se babë e babagjysh, për këto festa kanë dalë te Hani e te Kulla për të kremtuar. Këto festa janë kremtuar deri në vitet e fundit të shekullit XX, deri atëherë kur me masa administrative u pengua tubimi i popullatës, në tërë Kosovën.

Nata e Shën Gjergjit-dita e Lerthave

Ditën e 5 majit banorët meshkuj të moshës prej 20-50 vjeçare, por në mesin e tyre kishte edhe më të rinj dhe më të moshuar shkonin për të mbledhë Lertha (lat. Allium ursinum)), një lloj hudhre apo qepe e egër. Në Gallap kjo bime rritej në Zajçec përkatësisht te livadhi i Hanit të Sherifit. Ku vend ndodhet në mes të Zajçecit, Hajkobillës dhe vetë në veri-lindje të Grexhenikut.
Në Livadhin e Hanit të Sherifit mblidheshin banorët e fshatrave duke filluar nga Keçekolla e deri te Desivojca e Velegllava. Ndokush hynte nëpër mal përrreth dhe mblidhte nga dy-tri bimë të Lerthit-hudhrës së egër, e shumica tjetër ose merrnin pjesë në lojra të ndryshme që zhvilloheshin këtu ose vështronin lojën.
Nëpër livadh luanin kuajt, hidhej guri dhe çitej në shenj. Kjo lojë vazhdonte deri në orët e pasditës, e pastaj shpërndaheshin qytetarët, secili në drejtim të fshatrave të tyre. Në të shumtën e rasteve shpërndarja bëhej përnjëherë, dhe banorët rreshtoheshin në kolonë për një, dhe në ballë qëndronte përsoni më i lartë e më i pashëm. Ai mbante një duar një shkop të gjatë, në të cilin varte një “shërvete” lloj shamie e cila kryesisht ishte e ngjyrosur me ngjyrat kuq e zi. Shtiza-shkopi i gjatë dhe shërvetja simbolizonin flamurin kombëtar, i cili për shqiptarët e Kosovës ishte i ndaluar për t’u përdorur. Ndodhte që banorët e fshatrave të një drejtimi të udhtimit të bënin kolonë të gjatë deri me një e më shumë kilometra, dhe kjo kolonë zvoglohej duke u ndarë banorët nëpër fshatrat e tyre.
Kur arrinin në shtëpi, ata që kishin marrë bimën e Lerthit, këtë bimë e imtësonin dhe e përzienin me ushqim të kafshëve, të cilin ua jepnin për ta ngrënë në mëngjesin e 6 majit majit, ditës së Shëngjergjit. Mëqe lerthi ishte bima e parë që nuk ishte helmuese e që ishte e gjelbërt në këtë kohë, sepse në Gallap pranvera arrinte më vonë së në mjediset tjera, për shkak të klimës, mendohej se kafshët që të jenë më të shëndosha dhe do të japin qumshtë më kualitativ gjatë sezonit veror.

Dita e Shën Gjergjit (Sh’njergjit)

Ditën e Shën Gjergjit fillonte me të aguar. Zonja e shtëpisë, zgjohej herët, vlonte ujin për të pastruar antarët e familjës, merrte bimën e hithit e aty këtu edhe të shelgjës, por që kishte dushk të gjelbërt dhe antarët tjerë të familjës i zgjonte duke i spërkatur me ujë të ftoftë përmes gjetheve të hithit e shelgjës. Atëbotë ishte e preferuar që të gjithë antarët e familjës të zgjoheshin ende pa dalë dielli, sepse mendohej se kështu do t’u shkonte dita dhe vera mbarë, për të përfituar kohë më të madhe për punë, ndërsa spërkatja me ujë përmes gjetheve të hithit e shelgjës bëhej për të qenë më të freskët dhe më të shëndosh.
Ditën e Shën Gjergjit të gjithë antarët e familjës pastroheshin dhe veshnin rrobat më të mira që i kishin. Mëngjesi i ditës së Shëngjergjit, kryesisht ishte me bukë, qumsht të vluar dhe djath. Të gjithë mundoheshin që mëngjesi dhe ushqimi për ditën e Shën Gjergjit të ishte i përgatitur me miell gruri, sepse Gallapi ka konsumuar më shumë bukën e misrit dhe të elbit, sepse gruri ipte rendimente fare të vogla.
Dreka e ditës së Shën Gjergjit shtrohej më herët se zakonisht në Tygjec, kurse në fshatrat që ishin më larg se Tygjeci, burrat hanin vetëm mëngjesin dhe niseshin për në Tygjec, ku grumbulloheshin banorët e Gallapit. Dreka e Shën Gjergjit kishte një specialitet, që quhet pite. Pitja përgatitej me petë të holluara e të terura mbi saç, e pastaj të paluara në tepsi. Secila petë lyhej me gjalpë dhe palohej njera mbi tjetrën. Kur mbushej tepsia ajo piqej me saç, e tek familjet më të pasura edhe në stufë (shporet). Llogaritej, se po qe se për Shën Gjergj nuk ke ngranë pite, tërë ushqimi i verës ka me qenë më i dobët, andaj, zonjat e shtëpisë-baçicat, i ruanin gjërat më të mira për t’i përgatitur për këtë ditë.
Tubimi i meshkujve te Hani i Tygjecit ishte masiv. Të rralla ishin ato fshatra që nga Velegllava e deri në Keçekollë që vinin vetëm me nga 2-3 përfaqësues. Çdo fshat dërgonte sa më tepër meshkuj, të cilët do të garonin për fshatin e tyre. Garat zhvilloheshin në çitjen e gurit në largësi në stile të ndryshme, Gallapimi apo luajtja e kuajve (atllarëve), vallëzimi me surla dhe tupana dhe çitja në shenj. Fëmijët luanin në mes vete me pulla, sumblla e disa më të rritur, nëse kishin, edhe me monedha të metalta.
Gjatë kësaj dite, gratë , vajzat dhe fëmijët e vegjël që mbetëshin nëpër shtëpia vizitonin familjet dhe tuboheshin në ndonjë familje dhe bisedonin dhe këndonin. Në shtëpinë ku grumbulloheshin gratë, vendosej një apo më shumë hulaja. Në dega të drunjve e posaçërisht të qershive lidheshin litarë dhe kryesisht vajzat, nuset hulateshin por edhe këndonin këngë të ndryshme. Në një vend tjetër hulateshin fëmijët.

1.Lojërat e burrave

1.1 Hudhja me guri

Hudhja me guri është një lojë në të cilën tregohet forca dhe talenti. Guri hidhet me te dy duart përpara, me të dy duart anash, me një dorë të ngritur mbi sup dhe me te dy duart, por që guri kapet me duar, nga prapa dhe hudhet përpara duke u gërmucur në mes të këmbëve. Në Tygjec për hudhjen e gurit në këto teknika caktohej vend i posaçëm dhe vendi prej nga hudhet guri. Caktohej guri, dhe me të njejtin guri provojnë të gjithë garuesit. Garuesit nuk përcaktoheshin me emra, por me emrin e fshatit. Nuk caktohej ndonjë komision i posaçëm, por të gjithë të pranishmit e përcillnin këtë garë. Njëri nga të pranishmit që ishte më së afërmi nga vendi ku binte guri e shenonte vendin me ndonjë shkop. Kush e hudhte gurin më së largu ai ishte fitues. Fituesi nuk fitonte asgjë, por fshati i tij ishte fitues deri në festën e Shëngjergjit të ardhshëm.

1.2. loja me kuaj

Ndonëse për ardhje deri në Tygjec nga fshatrat e largëta, siç ishte Velegllava në lindje dhe Keçekolla në perendim duhej kaluar kohë e gjatë, sepse janë larg, në manifestim vihej edhe me kuaj. Kuajt në malësinë e Gallapit përdorëshin për kalërim, do të thot, udhëtim me ta, për bartje të mallrave e rrallë për të tërhequr qerret. Kishte përsona që kuajt i mbanin vetëm për udhëtim, dhe i zbukuronin. Këta kuaj edhe luanim ashtu siç i kishte mësuar pronari, Ata lojërat e tyre i demonstronin një një fushë që vetvetiu krijohej nga vizitorët. Nuk kishte karakter gare, por fare thjesht karakter reklamimi, sepse për një kali që lozte mirë dhe për kalorësin e tij (binxhinë-kështu i thonin) flitej pastaj në tërë Gallapin. Shpesh ka ndodhë që kuajt duke kalëruar të kenë përplasur edhe ndonjë shikues, por nuk mbahet në mend që të jenë kacafytur apo hidhëruar qytetarët.

1.3. Qitja në shenj

Të shumtën e rasteve qytetarët në manifestimin e Shën Gjegjit në Tygjec vinin të armatosur. Ata që dëshironin dhe e konsideronin veten se janë shenjtarë të mirë garonin se cili po e “vret” shenjën. Zakonisht caktohej vendi prej nga startonte çitja dhe vendi ku duhet qëlluar cakun. Ky vend caktohej ashtu, që tërë vija e ecjës së plumbit të jetë e shikueshme, më qëllim që të mos vritet ndonjë kalimtar i rastit. Kur hetohej se ndokush po kalonte nëpër këtë zonë të rrezikuar, atij i bërtitej nga të pranishmit që të lëshon këtë zonë. Kryesisht pozicioni i gjuajtjës merrej në afro 50 metrat e para të rrugës nga Hani që shpie kah lagja Kurtaj ndërsa një gurë i bardhë, si cak vendosej në kodrinën tjetër tek varret e Kosumajve. Edhe kjo garë shikohej nga shumë visitorë dhe që të gjithë e komentonin vendin e prekjës së plumbit në tokë afër shenjës.Armatimi për çitje ishte i përsonave që i posedonin armët ashtu si edhe plumbat, pra askush nuk e kompenzonte askend. As shenjtari më i mirë nuk shpërblehej, por flitej se filani dhe filani e vrau shenjën, kurse të tjerët jo.

1.4. Vallëzimi
Në manifestimin e Ditës së Shën Gjergjit vinin edhe mjeshtrit e Lodrës (Tupanit) dhe të Zurlave(surlave). Këta mjeshtër nuk porositeshin nga askush e as që paguheshin, por ata kryesisht këtu vinin për të bërë muzikë (xhymysh) e krijonin edhe autoritetin e tyre për t’i ftuar nëpër dasma, për çka edhe paguheshin. Lojatarët më të mirë të fshatrave hidhnin valle. Vallet në Gallap janë valle kolektive, pra valltarët kapen dorë për dore apo për krahu, ashtu si e don vallja. Mëqe në Tygjec vinin shumë mjeshtër të instrumenteve muzikore, vallja hidhej ne dy-tre vende. Prijësit e valleve ndërroheshin sipas radhës që ia fillonin valles, dhe kështu deri sa kryhej rendi i valltarëve. Pra vallëzoheshin aq valle sa kishte lojtar, pra sejcili e udhëhiqte nga një valle. Kryesisht vargu i valltarëve përbëhej nga 12 veta, aq sa edhe janë vallet kryesore që luhen në malësinë e Gallapit.
Ndonëse asnjë nga valltarët nuk kishte shenja të identifikimit se nga cili fshat është, por kryesisht identifikohej dhe flitej se akcili valltar ua kaloj të tjerëve.

1.4 Lojërat e fëmijëve

Fëmijët për Shën Gjergj kanë luajtur me pulla, me sumblla dhe pak më të rriturit edhe me monedha të metalta.

Dita e Shën Markut

Edhe kjo ditë shënohej në Tygjec. Dita e Shën Markut shenohej me 8 maj. Sikur Ditën e Shën Gjergjit, edhe Ditën e Shën Markut në Tygjec vinin qytetarë nga të gjitha fshatrat e Gallapit dhe bëhëshin të gjitha lojërat që zhvilloheshin ditën e Shën Gjergjit. Të vjetrit emrin Shën Mark nuk e shqiptojnë kështu por i thonë: Sh’mark.


Manifestimet tjera në Tygjec

Në Tygjec pos këtyre festive, Te Hani banorët grumbulloheshin edhe Ditën e festës së Bajramit, festë e muslimanëve. Në kremtat e Bajramit, që janë dy brenda një viti, vinin qytetarë, por jo në mënyrë masive si në kremtat e motmotit, sepse ritin fetar të faljës së Namazit të Bajramit banorët e bënin edhe nëpër xhamitë tjera të fshatrave të Gallapit.

Takimet e vendlindjes në Tygjec

Prej vitit 2002, të dielen e fundit të muajit qershor, banorët e Tygjeci, por edhe të disa fshatrave për rreth tubohen në Tygjec. Me këtë rast këshilli organizativ organizon programe foljore, muzikore dhe promovime të ndryshme. Ky tubim tashmë është bërë tradicional, dhe këtë datë e mbajnë mend edhe fëmijët e banorëve të Tygjecit të shpërndarë nëpër tërë Kosovën, në Maqedoni, Shqipëri, Turqi dhe diasporë. Për këtë datë, tygjecasit, por dhe të fshatrave për rreth dalin në vendlindje për të takuar të njohurit dhe fqinjtë e tyre të dikurshëm dhe për t’u njoftuar gjenerata e reja mes vete. Me këtë rast, vizitohen varrezat, pastaj trojet e dikurshme të familjeve të shpërngulura.( Variant i shkurtër i një studimi më të gjatë)