Saturday, July 17, 2010

Gallapi mbetet zona më e izoluar në vend


Publikuar: E hënë, më 05 korrik 2010
http://kohaditore.com/index.php?cid=1,8,27141


Kamenicë, 5 korrik – Gallapi mbetet treva më e izoluar dhe më e pazhvilluar në rajon, edhe përkundër investimeve në infrastrukturë rrugore. Gallapi që përfshinë 24 fshatra është zonë kufitare me Serbinë, që nga Karaçeva e Epërme e deri në Hajkobillë, kufiri shtrihet midis lokaliteteve të banuara me shqiptarë.Islam Velia, kryetar i Asociacionit për zhvillimin e Gallapit, ka thënë se ndërtimi i rrugëve në fshatrat e Gallapit përgjatë kufirit, pos çëshjtjes ekzistenciale, do t`i shërbenin edhe sigurisë së tyre, kurse më vonë, kur të krijohen zona të lira ndërkufitare, do të kenë rol të rëndësishëm edhe në zhvillimin ekonomik.Velia thotë se banorët, familjet e zonave kufitare duhet të kenë një trajtim të veçantë, që ata të mund të jetojnë atje. Këtë më së miri e dëshmojnë 5 familje në Shahiq të Kamenicës, por edhe në Sfircë, Zajçec, Gmicë, magurë, Poliçkë, Lisockë, Kremenatë, ku edhe pse numri i banorëve është pakësuar, aty jetohet. Në vitet e fundit në Gallap janë ngritur rreth 20 ferma lopësh, ose mesatarisht rreth 2 ferma për fshat, kryesisht rreth rrugëve të asfaltuara, si në Gmicë, Tygjec, Hajkobillë…Sipas Veliajt, infrastruktura rrugore do të krijojë mundësinë e rikthimit të traditës së kultivimit të blegtorisë që kishte treva. Ai ka rikujtuar se në vitet `70-ta të shekullit të shkuar, për çdo vit nga kjo trevë grumbulloheshin për ekspot mbi 150 mijë qengja, që do të thotë se kishte midis 150-200 mijë kokë dele, dhe kishte rreth 400 mijë bagëti – lopë, dele, dhi, buallica, kuaj etj. Kjo zonë, sipas Veliut, ofron mundësitë e një zhvillimi blegtoral me dobi të shumfishtë për familjet dhe për vendin, sepse do të shtonin sasinë dhe cilësinë e produkteve vendore bujqësore dhe blegtorale.Ndërkaq, Shaip Surdulli, kryetar i Komunës së Kamenicës, ka thënë se është i gatshëm të mbështes zhvillimin e turizmit dhe të bujqësisë e blegtorisë në zonën malore të Kamenicës, qoftë me rrugë apo lehtësira tjera për blegtorët. Ai ka thënë se do të hapen trasetë e disa rrugëve në disa nga fshatrat e zonës kufitare, që banorët të qarkullojnë pa vështirësi dhe të mbesin atje, në tokat e tyre. Mirëpo, ka shtuar Surdulli, mundësitë e kufizuara buxhetore të Komunës nuk na lejojnë që t`i hyjmë ndonjë projekti më të madh. „Do ta mbështesim zonën me mundësitë buxhetore që kemi, por nuk do të kursehemi aty ku mundemi, qoftë me dokumentacion, qoftë me lehtësira në pajisje, farë apo forma të tjera të ndihmës për ata që punojnë dhe krijojnë ndonjë ndërmarrje apo fermë ku mund të punësohen njerëzit", ka thënë Surdulli. Në këto vite janë asfaltuar 80 kilometra rrugë, duke llogaritur këtu edhe 10 kilometra të papërfunduara në rrugët Prapashticë – Hajkobillë dhe Prapashticë – Krilevë, ndërsa qarkullimin e banorëve dhe shkurtimin e udhëtimit deri në zonat urbane e ka lehtësuar ndërtimi i rrugës Prishtinë – Kamenicë, nëpër Zajçec e Tygjec dhe tjetra nëpër Krilevë. Në këtë zonë kanë mbetur ende rrugë të paasfaltuara, në gjatësi rreth 116 kilometra, sipas një projekti që ka bërë shoqata Gallapi. Megjithë ndërtimin e rrugëve, kjo zonë mbetet treva më e izoluar, edhe pse ka dalë nga harresa, por banorët presin më shumë mbështetje nga pushteti qendror dhe ato komunale që të mund ta vazhdojnë dhe ndërtojnë jetën e tyre në pronat dhe vendbanimet e tyre.

No comments:

Post a Comment